Karabinierët italianë kanë sekuestruar një sasi rekord prej 200 kilogramësh kokainë në një apartament në zonën e Tor Vergatës, në Romë, gjatë një operacioni antidrogë që çoi në arrestimin e një 22-vjeçari shqiptar, Kristian Preni.
Droga, me një vlerë që arrin në 16 milionë euro, ishte ndarë në 191 pako dhe fshehur në vende të ndryshme të banesës. Përveç saj, karabinierët gjetën 30 mijë euro para cash dhe një armë zjarri të vjedhur. Sipas autoriteteve, apartamenti ishte kthyer në një qendër shpërndarjeje droge, e pajisur me elementë logjistikë të sofistikuar për ruajtje dhe shpërndarje.
I riu u ndalua jashtë banesës, pasi sjellja e tij i ngriti dyshime patrullës së karabinierëve. Gjatë kontrollit, Kristiani kishte me vete një shumë të konsiderueshme parash, ndonëse rezultonte i papunë, çka çoi në bastisjen e mëvonshme të apartamentit. Hetimet zbuluan se ai kishte modifikuar edhe makinën e tij, duke e pajisur me një vend të fshehtë, që hapej me kod përmes tastierës dhe aktivizohej me çelësin e ndezjes, një sistem tipik për shmangien e kontrolleve gjatë transportimit të drogës.
Në seancën e parë gjyqësore, 22-vjeçari pranoi pjesërisht fajësinë, duke thënë se ishte përfshirë në aktivitetin e paligjshëm “për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të familjes”.“U përfshiva në një situatë të gabuar sepse familja ime është shumë e varfër, jeton në kushte të dëshpëruara dhe të vështira,” deklaroi ai para gjykatës, sipas La Repubblica.
Kristiani shtoi se në momentin e ndalimit ishte në përgatitje për t’u kthyer në Shqipëri, dhe se ishte herën e parë që përfshihej në një aktivitet të tillë. Lidhur me armën e gjetur, ai mohoi çdo lidhje:
“Nuk është e imja. Nuk e kam blerë dhe as përdorur ndonjëherë.”
Megjithatë, ai nuk pranoi të zbulojë asnjë informacion mbi rrjetin kriminal apo personat që fshihen pas kësaj sasie të madhe droge. Gjyqtari caktoi masën e arrestit me burg, ndërsa avokatja e tij,.