Vetëm një javë pas ngjarjes së rëndë ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit, Gjykata e Apelit në Tiranë ka shpallur vend të lirë pune për një roje sigurie në institucion.
Ky vendim vjen pasi pas vrasjes u arrestua roja i sigurisë së gjykatës, i akuzuar për shpërdorim detyre. Pamjet e kamerave të sigurisë dhe hetimi paraprak zbuluan se ai kishte qëndruar i ulur në momentin kur autori, Elvis Shkambi, hyri në ambientet e gjykatës me pistoletën e fshehur në brez. Sipas burimeve hetimore, skaneri elektronik kishte sinjalizuar për prezencën e armës, por roja nuk reagoi.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata e Apelit ka listuar 20 kritere që duhet të plotësojë kandidati për t’u punësuar si punonjës sigurie, duke përfshirë përvojën, aftësitë fizike dhe njohuritë mbi përdorimin e pajisjeve të kontrollit.
Shpallja e vendit të lirë për roje te dera shihet si një reagim i vonuar pas një ngjarjeje që tronditi sistemin e drejtësisë dhe ngriti pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë në gjykatat shqiptare.