Tirana, epiqendra e krimeve: Vrasjet dhe dhuna familjare në rritje të frikshme

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 14.10.2025, 18:02

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka ngritur alarmin për një rritje shqetësuese të krimeve kundër jetës dhe dhunës në familje gjatë vitit 2024. Në raportin vjetor të paraqitur në Kuvend mbi gjendjen e kriminalitetit, Çela theksoi se treguesit kryesorë penalë për këtë kategori janë përkeqësuar ndjeshëm, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme institucionale dhe sociale.

Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, vrasjet me dashje janë rritur me 3.1 herë krahasuar me një vit më parë, duke kaluar nga 14 raste në vitin 2023 në 44 raste në vitin 2024. Po ashtu, vrasjet me paramendim janë dyfishuar, nga 15 raste në 31 raste brenda një viti.

Qarku i Tiranës mban numrin më të lartë të krimeve kundër jetës, me rreth 30% të rasteve të regjistruara në shkallë vendi, pasuar nga Korça, Durrësi dhe Lezha.

Një tjetër shqetësim i madh i ngritur në raport është dhuna në familje, e cila vazhdon të shënojë rritje. Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 1,656 procedime penale, me një rritje prej 18.6% krahasuar me vitin 2023. Numri i të pandehurve për këtë vepër penale ka arritur në 1,238, duke u rritur me 14.8%.

Raporti evidenton gjithashtu se 88.9% e kërkesave të prokurorëve për masa sigurimi ndaj dhunuesve në familje kanë qenë për masën e arrestit, duke treguar një linjë më të ashpër ndëshkuese ndaj autorëve të këtyre veprave.

Çela ka theksuar se këto zhvillime kërkojnë masa të koordinuara mes sistemit të drejtësisë, institucioneve sociale dhe aktorëve lokalë, për të parandaluar dhunën, për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të garantuar mbrojtje efektive për viktimat, veçanërisht për gratë dhe fëmijët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit