Një shenjë jete? Gazetari francez jep detaje mbi gjendjen e Michael Schumacher

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 14.10.2025, 16:53

Pas një heshtjeje të gjatë dhe mungesës totale të informacioneve zyrtare, emri i Michael Schumacher është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. Legjenda e Formula 1, që prej më shumë se një dekade ndodhet në një gjendje të panjohur për publikun, është bërë sërish objekt diskutimi pas disa zbulimeve të reja që kanë ndezur një fije shprese tek miliona tifozë në mbarë botën.

Vetëm pak ditë pas përkujtimit të 25-vjetorit të titullit të tij të parë botëror me Ferrarin, gazetari i njohur francez i “L’Équipe”, Stefan L’Hermit, ka ndarë disa të dhëna që mund të përbëjnë sinjalin më domethënës prej vitesh mbi shëndetin e ish-kampionit.

Në një intervistë radiofonike, L’Hermit u shpreh se “informacionet mbeten të pakta dhe të paqarta”, por një detaj i fundit ka ngjallur shumë kuriozitet: një helmetë me autograf të Michael Schumacher e vënë në ankand për bamirësi.

“Si ka mundësi që e ka nënshkruar? A ia ka mbajtur dorën bashkëshortja e tij? Nuk kemi siguri, por është hera e parë pas shumë vitesh që kemi një sinjal të tillë pozitiv – thuajse një shenjë jete”, tha gazetari francez.

Megjithatë, L’Hermit theksoi se ende nuk ka asnjë informacion konkret mbi gjendjen fizike të 7-herë kampionit të botës. Sipas tij, Schumacher vazhdon të mos komunikojë verbalisht dhe nuk është parë duke ecur, ndërsa ndërveprimi me familjen mbetet i kufizuar.

“Nuk do të thoja se po ia del mbanë, por ndoshta po ia del pak më mirë”, shtoi ai me kujdes.

Që prej aksidentit tragjik me ski në dhjetor të vitit 2013, familja e Schumacher ka zgjedhur të ruajë një privatësi absolute, duke mos lejuar asnjë informacion publik për gjendjen e tij shëndetësore.

Sot, më shumë se 11 vite pas atij dimri fatal në Alpet franceze, çdo detaj që lidhet me të kthehet në një lajm botëror.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit