Hetimet për vrasjen e dyfishtë në kampingun e Finikoundas, ku humbën jetën pronari grek dhe ndihmësi i tij shqiptar, po marrin një kthesë të papritur.
Sipas mediave greke, një 22-vjeçar është paraqitur vetë në polici, duke u dorëzuar dhe deklaruar gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet. Ai ka premtuar se do të tregojë se kush ishte ekzekutori i vërtetë. Fillimisht u raportua se i riu kishte lidhje familjare me pronarin 68-vjeçar të kampingut, por më pas hetimet zbuluan se ai vetë dyshohet si një nga personat e përfshirë në ngjarje.
Pamjet e siguruara nga policia tregojnë 22-vjeçarin teksa udhëton me motoçikletën e autorit të krimit. Ai u ka thënë hetuesve se do t’i ndihmojë për të zbuluar autorin e vërtetë të ekzekutimit. Sipas të njëjtave burime, i riu ka rrëfyer gjithashtu se viktima, pronari i kampingut, e kishte abuzuar seksualisht gjatë verës së vitit 2022, një detaj që mund të ndryshojë rrjedhën e hetimeve.
Ndërkohë, autori kryesor i dyshuar mbetet ende në arrati. Pavarësisht se policia ka rindërtuar itinerarin e arratisjes së tij me motoçikletë nga Mesinia drejt Athinës, ai nuk është gjendur. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që gjatë ikjes të ketë pasur bashkëpunëtorë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 5 tetorit, kur një person i maskuar hyri në recepsionin e kampingut në Finikounda. Ai qëlloi për vdekje pronarin 68-vjeçar dhe më pas vrau mikun e tij shqiptar 60-vjeçar, i cili tentoi të shpëtonte. Në momentin e krimit ndodhej edhe nipi i pronarit, i cili arriti të largohej dhe shpëtoi pa lëndime.