I kërkuar për vrasjen e Edmir Bregut, arrestohet nipi i Astrit Avdylajt, fshihej në Tiranë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 14.10.2025, 09:29

Forcat Operacionale kanë arrestuar Aldo alias Elidon Avdylaj, nipi i Astrit Avdylaj, i shpallur në kërkim pas operacionit të SPAK më 2 tetor, ku u goditën grupet kriminale të Aleksandër Lahos (Rrumi i Shijakut) dhe Astrit Avdylajt. Aldo Avdylaj akuzohet si organizator dhe bashkëdrejtues i grupit kriminal që ekzekutoi Edmir Bregun në vitin 2021 në Durrës. Ai ishte i fshehur në një apartament pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë.

Hetimet zbardhën se porositësi i vrasjes së Bregut ishte Astrit Avdylaj, si hakmarrje për tentativën për të vrarë Aldon. Ekzekutorë të ngjarjes ishin Alfred Doka, i shpallur në kërkim, dhe Ermir Dedja, i ekzekutuar më 20 maj të këtij viti në Durrës. Operacioni i SPAK më 2 tetor shkatërroi dy grupe kriminale në Gjirin e Lalzit, të përfshirë në vrasje dhe falsifikim dokumentesh për tjetërsim prone, duke sekuestruar 11 pasuri me sipërfaqe totale 254.300 metra katrorë në zonën bregdetare të fshatit Shetaj.

Në pranga ranë katër persona, mes tyre Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume, Vlash Brahja dhe Astrit Avdylaj alias Astrit Balliu, i cili ndodhet në burg në kuadër të operacionit “Revanshi”. SPAK i ka ngritur akuzat për vrasje me paramendim, mbajtje pa leje dhe prodhim armësh, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, parashikuar nga Kodi Penal shqiptar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit