Kosova ka marrë sonte një fitore historike në tokën nordike, duke mposhtur Suedinë me rezultatin 0-1 në stadiumin “Nya Ullevi” të Gothenburgut, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Golin e vetëm të takimit e realizoi Fisnik Asllani në minutën e 32-të, ndërsa “Dardanët” arritën të administronin me zgjuarsi epërsinë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit kryesor. Vetëm një muaj më parë, Kosova mposhti Suedinë edhe në Prishtinë me rezultatin 2-0, duke treguar qartë forcën dhe rritjen e saj.
Një flamur gjigand kuqezi është valëvitur gjatë gjithë ndeshjes në tribunat suedeze, ndërsa nuk munguan as gjestet e bukura të lojtarëve të Kosovës, që bënë simbolin e shqiponjës me duar, një ndjenjë e papërshkrueshme krenarie për çdo shqiptar.
Me këtë fitore, Kosova blindon vendin e dytë në grupin B me 7 pikë, duke lënë pas Suedinë dhe Slloveninë, ndërsa Zvicra mbetet në krye të grupit. Një vend i dytë që do t’i jepte Kosovës mundësinë për të kaluar në play-off drejt Botërorit.
Kjo fitore vjen vetëm dy ditë pas triumfit historik të Shqipërisë ndaj Serbisë në Leskovac, një fitore që bashkoi mbarë shqiptarinë.
Le ta festojmë të gjithë edhe këtë fitore të Kosovës me të njëjtin shpirt vëllazëror, sepse jemi një komb, një flamur, një zemër.