Punimet në segmentin Vorë–Durrës po kthehen në një makth për drejtuesit e automjeteve. Mbyllja e përkohshme e këtij aksi ka shkaktuar trafik të rënduar jo vetëm në zonën perëndimore të vendit, por edhe në akse të tjera kryesore, përfshirë rrugën Tiranë–Elbasan.
Si pasojë e devijimeve të qarkullimit, shumë drejtues mjetesh po zgjedhin të kalojnë përmes Elbasanit për të arritur në jug apo për t’u kthyer drejt Tiranës, çka ka sjellë radhë kilometrike dhe pritje të gjata, veçanërisht në hyrje-daljet e qytetit të Elbasanit.
Sipas autoriteteve, fluksi është rritur ndjeshëm dhe kapaciteti i rrugës nuk përballon dot ngarkesën e shtuar, duke krijuar bllokime të shpeshta dhe vonesa të konsiderueshme në udhëtime.