Drejtësia greke më në fund ka folur për rastin tragjik të Denis Ruçit, 22-vjeçarit shqiptar që humbi jetën në aksidentin hekurudhor të Tempit tre vite më parë. Gjykata e Larisës ka miratuar kërkesën e familjes për të lejuar zhvarrosjen e trupit, si dhe kryerjen e analizave të ADN-së dhe atyre toksikologjike një vendim që erdhi pas një beteje të gjatë dhe të dhimbshme të babait të tij, Pano Ruçi.
Pano, i cili qëndroi 23 ditë në grevë urie përballë sheshit “Syntagma” në Athinë, arriti më në fund që të dëgjohej nga autoritetet. Greva, që tronditi opinionin publik grek dhe mori jehonë mediatike, u shoqërua me një valë solidariteti nga qytetarë të thjeshtë, por edhe nga figura të njohura të artit dhe kulturës.
Në një intervistë për emisionin “To Proino”, Ruçi tregoi se gjatë netëve të gjata të grevës, pranë tij qëndronte në heshtje një prej kompozitorëve më të famshëm grekë, Nikos Karvelas. “Kompozitori Nikos Karvelas vinte pothuajse çdo natë në Syntagma dhe më mbështeste. Nuk donte publicitet, nuk kishte kamera. Më tha se nuk doja të isha vetëm. Bisedonim me orë të tëra, ishte diçka shumë njerëzore dhe e sinqertë,” – rrëfeu Pano.
Ai shtoi se forca për të vazhduar nuk i vinte vetëm nga dhimbja për humbjen e të birit, por edhe nga dashuria e njerëzve që e mbështetën çdo ditë me mesazhe e prezencë. “Forca ime vinte nga mendimi për fëmijën tim dhe nga mbështetja që më dërgonin njerëzit. Çdo ditë më jepnin kurajë të mos dorëzohesha,” tha ai.
Vendimi i Gjykatës së Larisës është një hap i vonuar, por i rëndësishëm për familjen Ruçi, e cila kërkon të zbardhë të vërtetën mbi rrethanat e vdekjes së Denis Ruçit në tragjedinë që tronditi Greqinë më 2022. Pas muajsh heshtjeje institucionale, zëri i një babai shqiptar, i mbështetur nga qytetarë dhe artistë grekë, arriti të thyejë muret e burokracisë.