Me ardhjen e sezonit të ri, dyqani i rrobave Defaco duket se ka vendosur të shpërthejë me oferta që premtuan të të lënë me gojë hapur. Por, siç duket, goja mbeti hapur për një tjetër arsye: konfuzioni dhe etiketat që sfidojnë logjikën.
Një qytetare e interesuar për ofertat e famshme u përball me një situatë të pazakontë. Në një produkt, një etiketë ishte vendosur sipër një tjetër – dhe kur ajo hoqi letrën shtesë nga kureshtja, surpriza ishte e madhe: çmimi “promocional” ishte 4990 lekë, ndërsa etiketa poshtë tregonte 3990 lekë.
Një diferencë që lë shijen e një shaka të pakuptueshme: a është kjo oferta që të fton të bësh shopping, apo një lojë e vogël e trurit? Defacto duket se ka liruar dorën, por në vend që të të kursejë, të lë të shtangur.
Kur “super ofertat” të bëjnë të ndihesh si detektiv i çmimeve, atëherë ndoshta është koha të pyesim: kush i vendos këto çmime dhe çfarë mesazhi duan të kalojnë tek konsumatori? Në çdo rast, qytetarja u largua jo vetëm me surprizë, por edhe me një pyetje të madhe: oferta a ishte reale, apo thjesht një iluzion i etiketimeve?