Shqiptari ‘i papunë’ kapet me 200 kg kokainë me vlerë 16 mln €

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.10.2025, 15:08

Një sasi rekord prej 200 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga autoritetet italiane në Romë, në një nga operacionet më të mëdha të muajve të fundit kundër trafikut të drogës.

Në pranga ka përfunduar një 23-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal me degë të thella në tregun e narkotikëve në kryeqytetin italian.

Sipas karabinierëve dhe Prokurorisë së Romës, droga ishte ndarë në 191 blloqe të stampuara me logo të ndryshme, e gatshme për t’u shpërndarë në rrugë, me një vlerë të vlerësuar mbi 16 milionë euro. Lënda narkotike korrespondonte me rreth 8,000 doza, të dizajnuara për t’u përshtatur me “shijet dhe nevojat” e tregut të paligjshëm.

I riu shqiptar ishte vëzhguar prej kohësh nga forcat e rendit. Më 9 tetor, ai u ndalua nga patrulla e karabinierëve teksa lëvizte me një çantë shpine të mbushur me para në një zonë të frekuentuar të Romës. Dyshimet u shtuan menjëherë dhe pas kontrollit në banesën e tij në zonën Tor Vergata, hetuesit zbuluan një “depo” droge, armë dhe para të thata edhe pse ishte i papunë. Gjatë kontrolleve në banesën e tij policia gjeti dhe sekuestroi 200 kg kokainë të ndara në pako dhe blloqe, një armë zjarri me municione, rezultuar e vjedhu dhe rreth 30,000 euro cash.

Në kuadër të operacionit, autoritetet sekuestruan edhe makinën e të arrestuarit, e pajisur me një mekanizëm të sofistikuar fshehjeje, që përfshinte çelësa dhe butona të koduar. Hapësira e fshehtë shërbente për transportin e sigurt të drogës, pa rënë në sy të kontrolleve rutinë.

23-vjeçari shqiptar u arrestua dhe aktualisht ndodhet në burgun Rebibbia në pritje të hetimeve të mëtejshme. Autoritetet italiane e konsiderojnë këtë një goditje të rëndësishme ndaj organizatave kriminale që operojnë në kryeqytet, duke nënvizuar se trafiku i drogës vazhdon të mbetet një ndër burimet kryesore të financimit për aktivitetet e paligjshme në territorin italian.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit