Mbrëmjen e djeshme, pas fitores historike të Shqipërisë ndaj Serbisë në transfertë me rezultatin 0-1 në Leskovac, në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur mijëra video që tregonin festimet e shqiptarëve anembanë botës.
Mes tyre edhe pamjet nga New York, ku dhjetëra bashkatdhetarë dolën në rrugë për të festuar triumfin kuqezi. Në një prej videove që redaksia jonë publikoi, shihej një i ri shqiptar që festonte duke bërë drift me makinën e tij tip Mercedes-Benz në rrugët e qytetit.
Aksidenti ka ndodhur orët e mbrëmjes në Yonkers, disa orë pas pamjeve që publikuam. Sipas një qytetari që kontaktoi redaksinë e JOQ Albania, i riu dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit, ndërsa makina kishte goma të konsumuara, çka mund të ketë ndikuar në përplasjen.
Si pasojë e aksidentit, ai ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Edhe pasagjeri që ndodhej me të ka pësuar vetëm lëndime të lehta.
Pamjet nga vendngjarja janë publikuar edhe nga portali Yonkers Voice, ku shihet makina e dëmtuar rëndë në pjesën e përparme, teksa më pas merret nga një karotrec.