Fitorja historike e Shqipërisë ndaj Serbisë jehonë në mediat botërore: Festë, dorëheqje, tension

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 12.10.2025, 10:57

Fitorja e Kombëtares Shqiptare ndaj Serbisë në Leskovac me rezultatin 0-1 ka tërhequr vëmendjen e gjerë të mediave ndërkombëtare, të cilat e kanë cilësuar suksesin si historik. Goli i Rei Manajt në fundin e pjesës së parë jo vetëm që i dha tre pikë Shqipërisë, por shkaktoi edhe dorëheqjen e trajnerit serb Dragan Stojkoviç. Mediat e huaja kanë raportuar gjerësisht mbi ndeshjen, atmosferën, reagimet në Shqipëri dhe pasojat në Serbi.

AFP (Agence France-Presse) raportoi për dorëheqjen e menjëhershme të trajnerit serb pas humbjes:

“Trajneri i ekipit kombëtar serb të futbollit, Dragan Stojkoviç, njoftoi dorëheqjen e tij dje në mbrëmje pas një humbjeje 0-1 në shtëpi ndaj Shqipërisë në kualifikueset për Kupën e Botës 2026”, citoi AFP, duke shtuar se Stojkoviç mori përgjegjësinë e plotë dhe nuk do të udhëheqë ekipin në ndeshjen e radhës ndaj Andorrës.

ANSA (Agjencia italiane e lajmeve) fokusohet te festa popullore në Shqipëri pas triumfit:

“Shpërthyen festime në Shqipëri pas fitores 1-0 ndaj Serbisë. Mijëra tifozë mbushën sheshet, duke kënduar, kërcyer dhe valëvitur flamurin kombëtar”, shkruan ANSA, duke e cilësuar fitoren si një “hakmarrje simbolike ndaj një shteti me të cilin shqiptarët ndajnë histori të ngarkuar”.

TANJUG (agjencia zyrtare serbe) pranoi humbjen me tone kritike dhe theksoi presionin ndaj trajnerit:

“Tifozët e pakënaqur i kërkuan trajnerit Stojkoviç që të largohej. Shqipëria mund të kishte fituar edhe më bindshëm, por Bajrami humbi një rast të artë”, raportoi TANJUG, duke përmendur edhe simbolin e shqiponjës të bërë nga Manaj pas golit.

VIJESTI (media malazeze) e cilëson fitoren të papritur dhe të rëndësishme:

“Shqipëria çudit – Manaj tronditi Serbinë (0-1). Serbët tani duhet të mundin Anglinë në Wembley për të shpresuar”, shkruan Vijesti, duke shtuar se Shqipëria është shumë pranë fazës eliminatore dhe se ndeshja u luajt pa tifozë për shkak të tensioneve politike në Serbi.

Reuters (agjencia britanike e lajmeve) vë theksin te dorëheqja dhe rëndësia e fitores shqiptare për renditjen:

“Stojkoviç dha dorëheqjen pas humbjes 1-0 ndaj Shqipërisë… Unë jam përgjegjësi i vetëm,” citohet trajneri serb, ndërsa Reuters thekson se Shqipëria ka kaluar Serbinë në grup dhe është në rrugë të mirë drejt Botërorit 2026, ndërsa Anglia është shumë pranë sigurimit të vendit të saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit