Triumf historik! Kuqezinjtë bëjnë mrekullinë në Serbi, një hap larg Botërorit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.10.2025, 22:46

Shqipëria ka shkruar historinë sonte në Leskovac! Kuqezinjtë kanë arritur një fitore të artë ndaj Serbisë, duke triumfuar me rezultatin 1-0 në një ndeshje të tensionuar, të mbushur me emocione dhe provokime nga tribuna.

Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e fundit të pjesës së parë nga Rey Manaj, i cili shlyeu penalltinë e humbur në përballjen e parë mes dy skuadrave në Tiranë. Në pjesën e dytë, djemtë e Sylvinhos treguan karakter dhe disiplinë, duke administruar në mënyrë të shkëlqyer avantazhin deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit.

Ndeshja nuk i shpëtoi episodeve të pakëndshme: një pjesë e tifozëve serbë dëgjoheshin duke thirrur “vritini shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”, ndërsa në tribuna u shfaq edhe një banderolë me hartën e Kosovës të mbuluar nga flamuri serb, veprime provokuese që pritet të sjellin reagim nga UEFA. Fatmirësisht, përtej këtyre episodeve, ndeshja përfundoi pa incidente të tjera fizike në tribuna.

Në minutën e fundit të takimit, Nedim Bajrami pati një mundësi të artë për të dyfishuar rezultatin, por portieri serb shmangu golin e dytë me një pritje vendimtare.

Me këtë fitore historike, Shqipëria blindon vendin e dytë në Grupin K me 11 pikë, duke lënë pas Serbinë me 7 pikë. Grupi kryesohet nga Anglia me 15 pikë, ndërsa kuqezinjtë tashmë janë më afër se kurrë kualifikimit për Kampionatin Botëror 2026.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit