Një vajzë e vogël nga Teksasi është shpallur “heroina e ditës” pasi shpëtoi jetën e vëllait të saj të vogël, duke përdorur manovrën Heimlich në momentin e duhur. Ngjarja dramatike, e cila është bërë virale në rrjet, ka prekur zemrat e mijëra njerëzve.
Gjithçka ndodhi në qytetin Lavon, ku Leah James dhe vëllai i saj, Logan, po bënin një video ndërsa luanin në trampolinë. Teksa vazhdonin të hidheshin dhe hanin karamele të forta, njëra prej tyre mbeti në fytin e djalit, duke i bllokuar frymëmarrjen.
Në video shihet momenti kur Logan fillon të mbytet, ndërsa Leah vrapon menjëherë drejt tij. Ajo e godet fillimisht në shpinë, por pa rezultat. Më pas e kap nga barku dhe bën disa shtypje të forta, manovrën e njohur Heimlich, derisa karamelja del dhe djali fillon të marrë frymë përsëri.
Ajo që e bën historinë edhe më të jashtëzakonshme është fakti që Leah e kishte mësuar këtë teknikë nga e ëma, Heather James, e cila punon si administratore programesh në Departamentin e Policisë së Lavonit dhe ia kishte mësuar së bijës këtë teknikë jetë-shpëtuese.
“Leah e dinte saktësisht çfarë të bënte në atë moment kritik. Falë zgjuarsisë dhe guximit të saj, vëllai është gjallë sot. Ajo provoi se mosha nuk është pengesë për të qenë një hero,” – shkroi policia e Lavonit në postimin shoqërues të videos.
Leah pritet të nderohet zyrtarisht nga Këshilli i Qytetit të Lavonit muajin e ardhshëm për aktin e saj heroik.