Autoritetet greke janë shumë pranë identifikimit të autorit të dyshuar për vrasjen e pronarit grek të një kampingu, 68 vjeç, dhe punëtorit të tij shqiptar. Sipas të dhënave të reja të publikuara nga mediat greke, pas ekzekutimit të dyfishtë, autori është larguar me shpejtësi drejt Athinës duke përdorur rrugë dytësore për t’iu shmangur kontrolleve policore.
Pamjet e sigurisë, tregojnë se i dyshuari është parë në kryeqytetin grek, ndërsa një ekip i specializuar nga Kallamata po bashkëpunon ngushtë me Departamentin e Vrasjeve në Atikë për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Hetimet kanë marrë një tjetër kthesë, pasi nipi i viktimës, i cili është edhe i vetmi i mbijetuar i sulmit të përgjakshëm të së dielës së kaluar, ka dhënë dëshmi kontradiktore para policisë. Burime hetimore dyshojnë se konflikti mund të ketë lidhje me testamentin e biznesmenit të ndjerë, për të cilin familjarët kishin dijeni paraprakisht.
Sipas dokumenteve të zbuluara, 68-vjeçari kishte lënë pjesën më të madhe të pasurisë së tij pikërisht nipit, të cilin e përshkruante si “djalë shpirtëror”, ndërsa punëtorit shqiptar, të cilin e konsideronte “mik të dashur dhe kujdestar të kampingut”, i kishte lënë gjysmën e një prone dhe shuma të konsiderueshme parash në bankat e Pylos. Në testamentin e mëparshëm, hartuar një vit më parë, përfitues ishin gjithashtu motra e tij dhe djali i saj, në rast se nipi do të vendoste të shiste pronën.
Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e 5 tetorit, kur autori kishte hyrë në kamping duke u prezantuar si klient i mundshëm. Sipas dëshmive, pas refuzimit me arsyen se “nuk kishte vende të lira”, ai nxori armën dhe hapi zjarr, duke vrarë në vend pronarin grek dhe punëtorin shqiptar.
Policia greke po punon në disa pista hetimi, ndërsa motivi financiar mbetet më i forti deri në këtë fazë. Hetimet pritet të zgjerohet edhe për të verifikuar nëse në vrasje janë përfshirë persona të tjerë që kishin interes për trashëgiminë e viktimës.