Një qytetar ka ngritur një denoncim të fortë nga zona e Potamit në Himarë, ku mbeturinat e hedhura nga beach baret kanë përfunduar brenda në ujë, duke ndotur bregdetin dhe duke shkatërruar imazhin e një prej perlave të Rivierës Shqiptare.
Sipas denoncimit, mbetje të ndryshme notojnë mes dallgëve, aty ku vetëm pak javë më parë pushuesit shijonin qetësinë dhe bukurinë e detit Jon. Qytetari që ka bërë publik rastin tregon se në zonë ka ende shumë mbeturina të tjera, por ishte e pamundur t’i nxirrte të gjitha i vetëm.
Pamjet dhe dëshmitë nga vendi i ngjarjes tregojnë një realitet të hidhur: aty ku duhet të kishte blu të pastër, sot mbizotëron ngjyra gri e papërgjegjshmërisë. Përgjegjësia, siç duket, ndodhet diku mes pronarëve të lokaleve buzë detit dhe mungesës së kontrollit nga institucionet që duhet të kujdesen për ruajtjen e mjedisit.
Banorët dhe pushuesit kërkojnë ndërhyrje urgjente, pastrimin e zonës dhe ndëshkime për ata që e kanë kthyer detin në kosh plehrash. Sepse Potami, një nga më të bukurat pika të Himarës, meriton të njihet për ujërat e kristalta jo për mbeturinat që lundrojnë në to.