Më 11 tetor 2021, JOQ Albania publikoi një lajm që tronditi opinionin publik, duke raportuar për një skandal me përmasa ndërkombëtare në lidhje me tenderin për “Hartimin e Projektit të detajuar teknik të Portit të ri tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano”, me një vlerë prej rreth 11 milionë eurosh. Sipas raportimit, tenderi ku morën pjesë kompani të njohura ndërkombëtare u mbyll në mënyrë të dyshimtë pasi fituese u shpall kompania ABKONS, e drejtuar nga Besnik Leskaj, djali i ish-deputetes Valentina Leskaj.
Në atë kohë, burimet e JOQ Albania akuzonin drejtorin e portit, Pirro Vengu, sot Ministër i Mbrojtjes se kishte ushtruar presione ndaj komisionit të vlerësimit për të favorizuar kompaninë fituese. Diferenca prej 10 pikësh në vlerësimin teknik thuhej se e bënte “nul” hapjen e ofertave financiare, duke eliminuar çdo garë reale me kompani të tjera prestigjioze si Egis International, Technital, Typsa dhe Artelia-F&M Ingegneria.
Katër vite më vonë, skandali i denoncuar nga JOQ Albania mbetet pa një hetim të plotë dhe pa përgjegjësi të qarta institucionale. Asnjë organ nuk ka sqaruar rrethanat e tenderit, ndërsa projekti i Portit të Durrësit vazhdon të ecë mes dyshimeve dhe mungesës së transparencës. Rasti mbetet një kujtesë e fortë për mënyrën se si interesat politike dhe ekonomike mund të ndikojnë në projekte publike me vlerë milionëshe.