Një 56-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në pikën kufitare të Muriqanit, teksa po tentonte të hynte në Shqipëri. Bëhet fjalë për Spartak Joanu, banues në Fier, i cili është dënuar nga Gjykata e Apelit në Ankona me 16 vjet e 4 muaj burg për pjesëmarrje në grup kriminal për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni.
Arrestimi u bë i mundur falë kontrolleve të shtuara të Policisë Kufitare dhe bashkëpunimit me Interpol Tiranën. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shkodrës, Joanu ishte subjekt i një vendimi penal të formës së prerë nga drejtësia italiane, për përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme ndërkombëtare.
Aktualisht, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën po vijon procedurat ligjore për ekstradimin e 56-vjeçarit drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata. Arrestimi i tij konsiderohet një tjetër hap në luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në drejtësi.