Banorët e një lagjeje në qytet janë ankuar për një situatë të përsëritur dhe shqetësuese që po ndikon rëndë në jetën e tyre të përditshme. Sipas tyre, një lavazh automjetesh që ndodhet brenda lagjes punon çdo ditë deri në orët e mbrëmjes, duke shkaktuar zhurmë të pandërprerë dhe duke bllokuar rrugën me makina.
Për më tepër, në të njëjtën zonë ndodhen dy kopshte fëmijësh, çka e bën situatën edhe më të ndjeshme. Banorët shprehen se zhurma është e padurueshme dhe lëvizja në lagje është pothuajse e pamundur, pasi makinat e lavazhit kanë bllokuar çdo hapësirë.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ, si jeni? Ju lutem publikojeni. Çdo ditë në lagje kemi të njëjtin problem, rruga bllokohet nga makinat, zhurma është e padurueshme dhe për më tepër ndodhen dy kopshte fëmijësh brenda lagjes. Lavazhi që ndodhet këtu punon gjithë ditën dhe bën zhurmë të madhe, gjë që nuk lejohet, por ai vazhdon normalisht çdo ditë deri në orën 9 të darkës. Nuk kemi ku të kalojmë. Zhurmë nga të gjitha anët, para e mbrapa. E kemi të vështirë të presim edhe ndonjë makinë që na sjell porosi sepse nuk ka ku të ndalet. Na kanë lodhur! Thuhej se lavazhet do të hiqeshin nga lagjet, por ky vazhdon punën si zakonisht. Policia bashkiake nuk vjen asnjëherë të interesohet. Kërkojmë vetëm zbatim të rregullave, sepse kjo situatë është bërë e padurueshme.
Pavarësisht premtimeve të mëparshme për largimin e lavazheve nga zonat e banuara, ky subjekt vazhdon aktivitetin normalisht, pa ndërhyrje nga autoritetet.