“Askush s’guxon ta gjobisë”/ BMW me targa ruse e dokument policie në kroskot, e parkuar prej ditësh në zonë të ndaluar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.10.2025, 19:06

Një qytetar nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të raportuar një rast të pazakontë në Rrugën e Kavajës. Sipas tij, një automjet tip BMW me targa ruse (M4L1 007) ndodhet i parkuar në një segment ku parkimi nuk lejohet për automjetet, por vetëm për autobusë.

Qytetari thotë se makina qëndron aty që prej datës 8 tetor, ndërsa sot është 10 tetor, pa u gjobitur apo lëvizur nga autoritetet. Ai pretendon se brenda automjetit ndodhet një dokument me mbishkrimin “Policia”, çka sipas tij mund të ketë ndikuar që makina të mos ndëshkohet.

Në videon që ai ka dërguar në redaksi, dëgjohet të thotë:

“Përshëndetje JOQ! Po ju tregoj një rast unik. Makina me targa ruse, e cila është parkuar që prej datës 8, ka një gje ku thotë policia. Dhe gjeja më e bukur është që ndodhet te Rruga e Kavajës, mu në rrugë ku nuk lejohen makinat. Po të shikosh një makinë tjetër sapo ia kanë vendosur gjobën. Nuk lejohet sepse është për autobus, dhe personi ka që nga data që e ka parkuar këtu dhe askush nuk guxon t’i vendosë gjobë. Përpara 10 minutash ishin policët bashkiakë, të cilët i pyeta pse nuk i vendosni gjobë ose ta merrni këtë automjet, kur në raste të tjera i keni marrë makinat, dhe ata nuk kishin shpjegim. Ja çfarë ndodh mu në qendër të Tiranës.”

Ndërkohë, në mesazhin e dërguar në redaksi, qytetari shkruan:

“Në Rrugën e Kavajës, krah rrugës Islam Alla, është një rrugë ku nuk lejohet parkimi. E ta lësh makinën, merr menjëherë gjobën ose ta marrin me karotrec. Mirëpo një BMW me targa ruse ka që në datën 8 tetor, nuk ka as gjoba e as nuk e merr njeri, sepse në kroskot ndodhet një ID policia. A është e drejtë kjo?”

Aktualisht, nuk ka informacion zyrtar nga autoritetet për këtë rast, ndërsa mbetet e paqartë nëse dokumenti i vendosur në kroskot është i vërtetë apo jo, dhe pse automjeti nuk është gjobitur apo zhvendosur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit