Mediat kolumbiane i kanë kushtuar hapësirë të gjerë ngjarjes që tronditi Medelinin: vrasjes së shqiptarit Artur Tushi, 44 vjeç, i cili mbante gjithashtu pasaportë ekuadoriane. Sipas burimeve lokale, atentati dyshohet se lidhet me konfliktet e ashpra mes grupeve kriminale që luftojnë për kontrollin e një porti të ri strategjik në veriperëndim të Kolumbisë.
Ngjarja ndodhi në zonën e njohur “El Poblado”, një nga shëtitoret më të frekuentuara të qytetit, ku Tushi u qëllua për vdekje nga një person i cili u arrestua pak minuta më vonë nga policia. Sipas autoriteteve, autori një 35-vjeçar me shtetësi venezueliane akuzohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje të paligjshme të armës së zjarrit.
“Kemi arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar dhe kemi kërkuar ndihmën e Interpolit për të konfirmuar identitetin e plotë të tij dhe lidhjet e mundshme me rrjete ndërkombëtare kriminale”, deklaroi gjeneral William Castaño, komandant i Policisë së Valle de Aburrá.
Sipas portalit investigativ Pluralidad Z, vrasja e Tushit nuk është një rast i izoluar. Ajo ndodh vetëm pak ditë pas ekzekutimit të një tjetër figure të botës së krimit, të njohur si “El Ecuatoriano”, i lidhur me organizatën e fuqishme ekuadoriane “Los Choneros”, e cila bashkëpunon ngushtë me kartelin kolumbian “Clan del Golfo”.
Në të njëjtën periudhë, autoritetet arrestuan Rollando Federico Gómez Quinde, i njohur si “Fede”, një nga drejtuesit kryesorë të “Los Choneros”, për kapjen e të cilit ishte vendosur një shpërblim prej një milion dollarësh.
Eksperti i sigurisë Fernando Quijano, president i organizatës Corpades, paralajmëroi se këto struktura kriminale kanë krijuar aleanca të drejtpërdrejta me kartelin meksikan të Sinaloas. “Sinaloa po shtrin ndikimin e saj përmes këtyre grupeve, të cilat po fusin në treg substanca të reja si ketamina, që ne e quajmë ‘merkuri i kuq’. Synimi i tyre është të sigurojnë kontrollin e portit të ri të Urabás në Antioquia, që pritet të hapet së shpejti”, tha Quijano.
Sipas tij, ky port pritet të shndërrohet në një pikë strategjike për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave.
Kryetari i bashkisë së Medelinit, Federico Gutiérrez, ka pranuar publikisht se në qytet janë instaluar grupe mafioze të ardhura nga Azia, Italia, Amerika Qendrore dhe Meksika, që veprojnë në fusha të ndryshme – nga trafiku i drogës dhe shfrytëzimi seksual deri te aktivitetet e pastrimit të parave.
Një prej zonave më të prekura është Parku Lleras, dikur destinacion turistik dhe argëtimi, i cili sot është kthyer në një vatër të krimit të organizuar. Rritja e numrit të vizitorëve të huaj ka sjellë një shpërthim të trafikut të drogës, prostitucionit dhe vjedhjeve.
Në hijen e palmave të Medelinit, krimi duket se po flet me një gjuhë të vetme atë të parave, pushtetit dhe frikës.