Parisi nderon Ismail Kadarenë, pllakë përkujtimore për kolosin e letrave shqipe në zemër të qytetit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.10.2025, 11:02

Parisi ka nderuar kolosin e madh të letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, me një pllakë përkujtimore që do të vendoset në nder të tij në zemër të kryeqytetit francez.

Pllaka përkujtimore do të vendoset në adresën 63, bulevardi “Saint-Michel”, aty ku Kadare dhe familja e tij jetuan për vite me radhë dhe ku ai krijoi disa prej veprave më të shquara të letërsisë shqipe. Ky vend do të kthehet në një pikë simbolike për lexuesit dhe admiruesit e Kadaresë, duke e përjetësuar kujtimin e tij në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të Europës.

Vendimi për këtë nderim është miratuar me unanimitet nga Këshilli Bashkiak i Parisit, si shenjë respekti për kontributin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit shqiptar në letërsinë botërore.

Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare, mbetet një figurë qendrore e kulturës shqiptare dhe një prej autorëve më të përkthyer të Ballkanit. Fillimet e tij letrare ishin në poezi, me vëllime si “Frymëzime djaloshare” dhe “Përse mendohen këto male”, ndërsa fama e madhe erdhi me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963).

Në vijim, ai pasuroi letërsinë shqiptare me vepra të pavdekshme si “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Pashallëqet e mëdha”, “Kamarja e turpit” dhe “Kush e solli Doruntinën”.

Veprat e tij janë përkthyer në mbi 45 gjuhë të huaja, ndërsa Kadare është nderuar me çmime të shumta ndërkombëtare, përfshirë “The Booker Prize Man” në vitin 2005. Ai është gjithashtu anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës që nga viti 1994, si dhe mban dekoratat “Nderi i Kombit” dhe “Kryqi i Legjionit të Nderit”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit