Është zbardhur dëshmia e dy personave të arrestuar për dhunën ndaj 61-vjeçarit Kozma Kukli, punonjës i pastrimit në Bashkinë e Vlorës, ngjarje që ndodhi ditën e djeshme në qytetin bregdetar.
Sipas të dhënave zyrtare nga policia, viktima u sulmua fizikisht për motive të dobëta nga dy persona me precedent penal: Ermal Sakaj, 37 vjeç, dhe Kaludio Nurçaj, 30 vjeç.
Në dëshmitë e tyre para oficerëve të policisë gjyqësore, të rinjtë kanë pretenduar se konflikti nisi pas një përplasjeje të vogël në rrugë. Sipas tyre, 61-vjeçari me biçikletë kishte goditur furgonin e tyre në pjesën e derës, çka solli më pas debat dhe agravim të situatës.
Ata kanë shtuar se pas incidentit, Kukli i kishte ndjekur me biçikletë, duke e konsideruar këtë si arsye për përplasjen që degjeneroi në dhunë. Kjo është edhe linja e mbrojtjes që të dy kanë dhënë në dëshminë e dorëzuar në polici.