Një ngjarje e rëndë dhune ka tronditur sot qytetin e Vlorës, ku një punonjës i Ndërmarrjes së Pastrimit, Kozma Kukli, 70 vjeç, është dhunuar barbarisht përballë tregut të Çoles, rreth orës 14:00. I moshuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në repartin e reanimacionit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, pas hetimeve dhe kqyrjes së kamerave të sigurisë, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i dy autorëve të dyshuar, të cilët kanë precedentë penalë.
Të ndaluarit janë: E. S., 37 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për “Plagosje të rëndë me dashje” me armë zjarri; K. N., 30 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”. Të dy, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sulmuar me sende të forta 70-vjeçarin për motive të dobëta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ka shkaktuar indinjatë të madhe mes qytetarëve, sidomos për faktin se viktima ishte një punëtor i thjeshtë që pastronte rrugët e qytetit, ndërsa dhunuesit janë persona me të kaluar kriminale.