Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar dekretin e Presidentit Bajram Begaj lidhur me zgjedhjet e pjesshme në Tiranë ka bërë që Partia Socialiste të reagojë.
Në një mesazh të brendshëm, dërguar të gjitha degëve në kryeqytet, PS u ka bërë thirrje anëtarëve të vijojnë përgatitjet për fushatën, duke theksuar se procesi elektoral nuk ndikohet nga vendimi i përkohshëm i Gjykatës.
Rikujtojmë se në krye të fushatës për Tiranën, Rama ka emëruar Belinda Ballukun.
“Sikurse u theksua edhe mbrëmë, vendimi i sotëm nuk i prek zgjedhjet e 9 nëntorit. Vendimi përfundimtar i Gjykatës do të jepet më 31 tetor,” – thuhet në komunikatën e shpërndarë brenda strukturave socialiste.
Ky reagim vjen në një moment delikat për mazhorancën, pasi vendimi i Gjykatës lidhet drejtpërdrejt me ankesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon të vlerësohet ligjshmëria e shkarkimit të tij nga posti. Pavarësisht zhvillimeve, selia rozë insiston se fushata për 9 nëntorin do të vazhdojë sipas planit dhe ligjshmërisë që i ka dhënë Begaj duke dekretuar datën e zgjedhjeve teksa Gjykata Kushtetuese e ka shpallur vendimin nul.