Një episod i ri tensioni ka shpërthyer në prag të përballjes delikate mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Autoritetet serbe kanë njoftuar arrestimin e një shtetasi shqiptar në pikën kufitare të Merdares, i cili, sipas policisë, po transportonte materiale me simbole kombëtare shqiptare dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas deklaratës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç, pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prokuplje, në bashkëpunim me Administratën Doganore, kanë arrestuar shtetasin shqiptar D. P. (i lindur në vitin 1972). Ai akuzohet për “nxitje të urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.
Gjatë kontrollit të furgonit “Mercedes” me të cilin udhëtonte nga drejtimi i Kosovës, policia serbe ka sekuestruar pesë çanta që përmbanin 22 bluza, 244 flamuj dhe 86 kapele me mbishkrimin “UÇK”, si dhe 65 bluza me imazhin e heroit Agim Ramadani, 58 shalle me stemën e Shqipërisë dhe 92 kapele të tjera.
Autoritetet serbe dyshojnë se këto materiale ishin destinuar për t’u shpërndarë dhe shfaqur në ndeshjen e së shtunës në stadiumin e Leskovcit, ku pritet të përballen Serbi dhe Shqipëri një ndeshje me histori të ngarkuar dhe tensione të mëparshme mes tifozëve të të dy vendeve.
I arrestuari është ndaluar për 48 orë dhe pritet të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuplje me një kallëzim penal.
Ky incident pritet të ngrejë sërish 'temperaturat' përpara sfidës Serbi–Shqipëri, një përballje që edhe këtë herë po shoqërohet me masa të forta sigurie dhe kujtime të ashpra nga ndeshja famëkeqe e Beogradit në vitin 2014.