Edhe pse ndodhen vetëm pak kilometra larg Tiranës, banorët e fshatit Dritas në zonën e Tapizës përballen çdo ditë me një problem të madh që u kushton kohë dhe para, gjendjen e mjerueshme të rrugës.
Ata tregojnë për JOQ se, pavarësisht se kanë bërë dhjetëra kërkesa për ndërhyrje dhe rehabilitim, askush nuk është interesuar për t’i ndihmuar. Sipas banorëve, rruga e dëmtuar u shkakton dëme të vazhdueshme automjeteve, duke i detyruar të shpenzojnë para në servise pothuajse çdo muaj.
“Mirmëngjes JOQ! Ju lutem a mund t’i postosh këto video. Është në fshatin Dritas në Tapizë. Shikoje si janë kanalet e mëdhaja në mes të rrugës. Bashkia Tiranë s’ka bërë asnjë investim që sa vite dhe kemi ngelur duke rregulluar makinat çdo muaj,” shkruan njëri prej banorëve.
Rruga ndodhet në një gjendje tejet të keqe, dhe banorët kërkojnë vetëm një gjë të thjeshtë: që zëri i tyre të dëgjohet dhe rruga të rregullohet njëherë e mirë.