Kryebashkiaku i New York-ut, Eric Adams, ndodhet në një valë kritikash në SHBA pas vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, e cila përkoi me ceremoninë përkujtimore të Departamentit të Zjarrfikësve të qytetit (FDNY), një nga ngjarjet më të ndjera të vitit për komunitetin e shërbimeve emergjente. Sipas “Daily News”, kjo është hera e parë që Adams mungon në këtë ceremoni që nga marrja e detyrës në vitin 2022, gjë që ka zemëruar Unionin e Zjarrfikësve dhe publikun.
Presidenti i Unionit të FDNY, Andrew Ansbro, e cilësoi mungesën e Adams “zhgënjyese dhe fyese” për zjarrfikësit që kanë humbur jetën në shërbim të qytetit. Ai u shpreh se një lider i qytetit duhet të jetë i pranishëm në momente që kanë rëndësi reale, jo vetëm në raste të përshtatshme politikisht. Kritikat janë shtuar edhe për faktin që qeveria shqiptare po mbulon një pjesë të shpenzimeve të udhëtimit të kryebashkiakut, çka ka rikthyer në vëmendje dyshimet mbi integritetin e tij financiar.
Vizita e Adams në Shqipëri vjen në një kohë të ndjeshme politike për të, pasi ai hoqi dorë nga kandidimi për një mandat të dytë pas përfshirjes në hetime federale për ryshfet në lidhje me udhëtime të financuara nga Turqia. Udhëtimi katërditor dhe mungesa në një ceremoni simbolike ka krijuar një debat të ri mbi prioritetet e tij si udhëheqës i qytetit më të madh në SHBA.