Një situatë shqetësuese është krijuar në qytetin e Durrësit, përballë Kopshtit “Ivina”, ku një segment i trotuarit është bllokuar plotësisht me mur, duke penguar kalimin e këmbësorëve. Denoncimi vjen nga një mësuese e Gjimnazit “Naim Frashëri”, e cila shprehet se nxënësit janë të detyruar të ecin në rrugë, mes makinave, pasi nuk kanë më akses në hapësirën e dedikuar për ta.
Trotuari i bllokuar përbën një rrezik serioz për sigurinë e fëmijëve dhe kalimtarëve, veçanërisht gjatë orëve të pikut kur lëvizja është më e dendur. Prindër, mësues dhe banorë të zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet vendore për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.
Apeli publik është drejtuar institucioneve përgjegjëse, përfshirë Bashkinë e Durrësit dhe IMT, që të verifikojnë ligjshmërinë e këtij ndërtimi dhe të rikthejnë lirinë e lëvizjes për këmbësorët. Banorët kërkojnë që trotuari të lirohet sa më parë dhe të merren masa ndaj atyre që kanë bllokuar hapësirat publike.
“Përshëndetje JOQ! Ju lutem vetëm ju mund të veproni! Jam mësuese në Gjimnazin "Naim Frashëri", Durrës. Ju lutem shikoni çfarë i kanë bërë trotuarit përballë me Kopshtin "Ivina"! E kanë bllokuar tërësisht me një mur dhe tani nxënësit që kalojnë aty e kanë të pamundur të ecin në trotuar. Detyrohen të zbresin në rrugë, gjë që përbën rrezik serioz për aksidente. Ju lutem veproni sa më shpejt! Kjo situatë është e papranueshme dhe rrezikon jetën e fëmijëve dhe qytetarëve çdo ditë”, shkruan qytetarja.
