10 mijë lekë për bukë, debati banal që përfundoi me vrasje në Kamëz

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08.10.2025, 21:23

Një sherr i çastit mes dy miqve është kthyer në tragjedi në Kamëz, ku një 40-vjeçar humbi jetën pas një konflikti banal për para dhe fyerje.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, kur Arlind Demushi vrau me thikë mikun e tij Hajdar Ismailgeci, i njohur ndryshe si “Bali”. Të dy ishin nga Tropoja dhe prej disa kohësh jetonin në Kamëz, ndërsa Ismailgeci strehohej përkohësisht në banesën e Demushit.

Sipas hetimeve, dy miqtë kishin konsumuar kafe dhe nga një dopio raki në një lokal të lagjes. Më pas, Demushi i kishte dhënë mikut të tij 10 mijë lekë të vjetra për të blerë bukë, por ky i fundit ishte vonuar. Kur e telefonoi për ta pyetur pse nuk po kthehej, Ismailgeci i ishte përgjigjur nervoz: “Ik mos më çaj k…”.

Fjalët e rënda çuan në përplasjen fatale. Të dy u takuan sërish në një lokal, ku secili porositi nga një dopio raki tjetër. Debati u përshkallëzua dhe ata dolën jashtë për t’u “sqaruar”.

Në këndin e lodrave pranë lokalit, sipas dëshmisë së autorit, viktima nisi ta ofendonte dhe ta godiste me grushta, madje nxori edhe një thikë për ta goditur. Në përleshje, Demushi arriti t’ia merrte armën dhe e qëlloi, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në pjesën e ijeve.

Pas ngjarjes, autori u largua me vrap dhe u arrestua disa orë më vonë në Durrës. Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Një debat banal, një gotë raki dhe disa fjalë të nxituara mjaftuan për të shuar një jetë dhe për të shkatërruar një tjetër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit