Një raport tronditës i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar boshllëqe alarmante në sistemin e kontrollit të barnave në Shqipëri. Prej vitesh, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore nuk ka kryer analizat e detyrueshme mbi përbërjen dhe cilësinë e medikamenteve, veçanërisht atyre që përdoren në trajtimin e sëmundjeve tumorale.
Sipas KLSH, gjatë periudhës 2021–2024, Laboratori i Kontrollit nuk ka realizuar asnjë analizë laboratorike të plotë për barnat antitumorale të futura në treg. Në vitin 2023 janë kryer vetëm 8 analiza, nga të cilat vetëm 4 për përdorim spitalor, ndërsa në tre muajt e parë të vitit 2025 – vetëm një. Kjo shkel hapur detyrimet ligjore dhe standardet e sigurisë që duhej të garantonte vetë Agjencia.
Auditimi i KLSH ka evidentuar gjithashtu mungesën totale të një metodologjie për përzgjedhjen e mostrave, afateve për analizat apo përgjegjësive të stafit teknik. Procesi i punës, nga marrja e mostrës deri në publikimin e rezultateve, rezulton i pa dokumentuar dhe pa asnjë protokoll teknik të miratuar.

Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se një pjesë e madhe e barnave futen në treg nga vendet e Ballkanit dhe më gjerë, shpesh vetëm me një autorizim ministror, pa kaluar nëpër asnjë kontroll laboratorik të detyrueshëm mbi cilësinë apo përbërjen e tyre.
Ky “skandal i heshtur” në sektorin farmaceutik ngre dyshime serioze për sigurinë e pacientëve shqiptarë dhe besueshmërinë e institucioneve që duhet të mbrojnë jetën e tyre. KLSH paralajmëron se mungesa e kontrolleve të rregullta mund të ketë pasoja fatale për pacientët me sëmundje të rënda, si kanceri, të cilët mund të trajtohen me barna me efektshmëri të dyshimtë ose të rrezikshme për shëndetin.
Në raportin e tij, KLSH thekson se Laboratori i Kontrollit ka për detyrë të garantojë që çdo ilaç i vendosur në treg të jetë “i sigurt, cilësor dhe efikas për popullatën”, por në realitet ky mision është braktisur plotësisht.
“Shqipëria po mbytet me ilaçe të paanalizuara, pa standarde e pa përgjegjësi,” thuhet ndër të tjera në raport, duke paralajmëruar nevojën për ndërhyrje urgjente në sistemin e sigurisë farmaceutike të vendit.