Në aksin Thumanë–Fushë-Krujë, në rrugën që të çon drejt zonës së Fushë-Krujës, realiteti është një tjetër shembull se si institucionet kujtohen vetëm për fasadë. Asfaltimi ndalet papritur, si të ishte bërë vetëm për t’u fotografuar nga lart, ndërsa më tej nis ajo që mund të quhet pa frikë një rrugë e turpit.
Segmenti është i mbuluar me gropa të thella, baltë dhe zhavorr, një rrugë ku çdo makinë rrezikon të shpërbëhet përpara se të arrijë në destinacion. E gjithë kjo situatë zgjat prej gati një viti, ndërsa banorët dhe drejtuesit e automjeteve përballen çdo ditë me të njëjtën vuajtje.
Institucionet, si gjithmonë, bëjnë sikur nuk shohin. Nuk ka tabela, nuk ka njoftime për punime, nuk ka asnjë shenjë se dikush ka ndërmend të merret me të. Në një vend që pretendon se po modernizon infrastrukturën, rrugë të tilla tregojnë fytyrën e vërtetë të neglizhencës dhe abuzimit me fondet publike.
Thumanë–Fushë-Krujë është vetëm një shembull. Një rrugë që, për shumëkënd, përfaqëson më mirë se çdo deklaratë të bukur atë që ndodh kur shteti zgjedh të bëjë “punë për sy e faqe” dhe jo për njerëzit.