Një rënie e papritur dhe e rrezikshme e dheut është shënuar në fshatin Fyties, në rajonin e Aitoloakarnanisë, Greqi, duke krijuar një krater gjigant me thellësi dhe gjerësi prej 6 metrash.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në mesin e banorëve, pasi ndodhi fare pranë banesave të banuara, fatmirësisht pa shkaktuar dëme të menjëhershme.

Sipas profesorit dhe presidentit të Organizatës për Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP), Efthimios Lekkas, fenomeni është i lidhur me procese gjeodinamike dhe reshje intensive, ndërsa zona ku ndodhi ngjarja karakterizohet nga shkëmbinj të dobët që gërryhen lehtësisht.
“Ky fenomen nuk është i rrallë në këtë rajon. Mund të shfaqet në zona të ndryshme, nga Aitoliko në Amfiloki. Rreziku për një katastrofë më serioze është real,” – u shpreh Lekkas për mediat greke.

Eksperti theksoi se incidente të tilla janë të vështira për t’u parashikuar, ndërkohë që bëri thirrje për vëmendje të shtuar nga banorët. Ai kërkoi që qytetarët të jenë vigjilentë dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet nëse vërejnë çarje në ndërtesa, trotuare apo rrugë, që mund të jenë shenja paralajmëruese të rrëshqitjeve të tjera.
Pavarësisht se nuk pati dëme materiale këtë herë, ekspertët paralajmërojnë se duhet të ndërmerren masa për kontrollin dhe certifikimin e strukturës së banesave, për të garantuar sigurinë në raste të fenomeneve të ngjashme natyrore.
