Kanceri i gjirit rritet me 23% në Shqipëri: Mbi 800 raste të reja vetëm në vitin 2024

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.10.2025, 10:35

Kanceri i gjirit mbetet diagnoza më e shpeshtë e kancerit në Shqipëri, duke përbërë rreth 11% të rasteve të reja çdo vit dhe duke zënë vendin e parë për risk individual tek gratë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), aktualisht në vend jetojnë rreth 5,000 gra me këtë diagnozë, ndërsa vetëm në vitin 2024 janë raportuar 805 raste të reja tek femrat dhe 14 tek meshkujt.

Krahasuar me vitin 2015, incidenca e kancerit të gjirit është rritur me 23%, ose mesatarisht me 2.1% çdo vit. Rritja është më e theksuar tek gratë mbi 50 vjeç, me një shtim vjetor prej 3.6%, ndërsa në moshat nën 50 vjeç është vërejtur një ulje mesatare prej 1.9%. Mosha mesatare në momentin e diagnozës është zhvendosur nga 55 vjeç në 2015, në afro 59 vjeç në vitin 2024.

Në të njëjtën kohë, mbulimi me depistim është përmirësuar ndjeshëm. Numri i mamografive të kryera ka kaluar nga 5,000 në vitin 2014, në mbi 25,000 gjatë periudhës 2022–2024. Aktualisht, rreth 25% e grave të grupmoshës target përfitojnë nga programi i depistimit falas përmes sistemit publik.

Sipas ISHP-së, vetëm përmes mamografive të lëvizshme identifikohen çdo vit mbi 10 raste të dyshuara, ndërsa rreth 50 raste zbulohen herët falë kontrollit të rregullt.

Specialistët e shëndetit publik theksojnë se zbulimi i hershëm përmes depistimit rrit ndjeshëm shanset për trajtim efektiv dhe shërim të plotë, duke e kthyer parandalimin dhe ndërgjegjësimin në armët më të forta kundër kësaj sëmundjeje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit