U plagos në sallën e gjyqit, zbardhet dëshmia e Ervis Kurtajt: Kur u dha vendimi, Elvisi u ngrit dhe qëlloi gjyqtarin

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 08.10.2025, 09:47

Ervis Kurtaj, një nga të plagosurit dhe dëshmitar kyç i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ka dhënë detaje tronditëse për momentet e ngjarjes brenda sallës së gjyqit. Ai ndodhej aty së bashku me babain e tij, Rakip Kurtaj, si palë në procesin gjyqësor që kishte për objekt një çështje pronësie në Shkodër. Sipas dëshmisë së tij në polici, gjithçka ndodhi në çastin kur gjyqtari shpalli vendimin në favor të tyre. “Në atë moment, Elvisi u ngrit nga vendi dhe i’u afrua gjyqtarit duke qëlluar disa herë me armë zjarri,” ka deklaruar Kurtaj.

Sipas tij, autori përdori një armë të vogël në dukje, ndërsa krismat tronditën sallën. “Sapo dëgjova të shtënat, kapa babin nga dora dhe nisa të largohem drejt korridorit. Kur po kalonim derën e sallës, Elvisi u kthye dhe qëlloi drejt nesh,” shtoi Kurtaj. Të dy, babë e bir, mbetën të plagosur dhe u dërguan menjëherë në Spitalin e Traumës, ku morën trajtim mjekësor dhe tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi, menjëherë pas dhënies së vendimit gjyqësor. Krahas autorit, në pranga kanë rënë edhe xhaxhai i tij Gjon Shkambi si dhe roja i sigurisë Banush Koxhaj, i cili dyshohet se lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës. Dëshmia e Ervis Kurtajt pritet të jetë një element kyç në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje që ka tronditur institucionet e drejtësisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit