Kalimet e paligjshme të emigrantëve në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës kanë rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1970, sipas të dhënave federale të siguruara nga CBS News.
Gjatë vitit fiskal 2025, i cili përfshiu katër muaj të fundit të administratës së Joe Biden dhe tetë muajt e parë të Donald Trump, agjentët e Patrullës Kufitare ndaluan 238 mijë emigrantë që tentuan të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
Sipas raportit, gjatë muajve të parë të presidencës së Trump janë regjistruar më pak se 9 mijë kalime të paligjshme në muaj, çka përbën shifrën më të ulët në mbi gjysmë shekulli. Krahasimisht, në vitin 1970 ishin ndaluar rreth 202 mijë persona që tentuan të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, deklaroi për BBC se këto shifra tregojnë se Trump po mban premtimin për forcimin e sigurisë kufitare.
“Si rezultat, amerikanët janë më të sigurt, emigrantët e paligjshëm dhe drogat e rrezikshme nuk po kalojnë më kufirin pa kontroll,” tha ajo.
Pas marrjes së detyrës në janar, Trump nënshkroi disa urdhra ekzekutivë që përfshinin shtimin e trupave në kufi, ndalimin e kërkesave për azil, dhe zgjerimin e kompetencave të ICE për arrestimin e emigrantëve të paligjshëm në territorin amerikan.
Administrata e tij po ashtu ka ndërmarrë raide të mëdha kundër emigrantëve pa dokumente në qytete si Los Angeles dhe Chicago, ndërsa Trump ka premtuar deportimin e miliona emigrantëve gjatë mandatit të tij.
Sipas autoriteteve kufitare, gjatë katër viteve të presidencës së Biden janë regjistruar rreth 11 milionë raste përpjekjesh për kalim të paligjshëm, ndërsa shifrat aktuale nën Trump tregojnë një ulje drastike të fluksit në jug të SHBA-së.