Një problem serioz ka pushtuar kryeqytetin: zaptimi i hapësirave publike të parkimit po dëmton çdo ditë qytetarët, veçanërisht studentët, të cilët detyrohen të paguajnë shuma të konsiderueshme për parkim.
Fenomeni i “privatizimit” të vendeve publike me bidona uji, karrige apo kova është shtrirë masivisht në lagjet e Tiranës. Shumë banorë veprojnë sikur janë “pronarë” të rrugëve, duke bllokuar vendet për automjetet e tyre personale dhe duke ua mohuar të drejtën e përdorimit qytetarëve të tjerë.
Rasti i denoncuar pranë Ambasadës Amerikane tregon qartë absurditetin e situatës. Sipas denoncuesit, një student nga Tirana, ai u gjobit nga Policia Bashkiake, edhe pse makina ishte e parkuar në një vend publik me vijëzime dhe pa pagesë. Sipas tij, një banor i zonës kishte “rezervuar” vendin me bidona dhe, pasi studenti e parkoi aty, e denoncoi tek policia bashkiake, e cila më pas i vendosi gjobë prej 2000 lekësh.
“Një ditë më parë e parkova në rrugë dhe nuk mora gjobë, ndërsa tani që e lashë në parkim të vijëzuar më gjobitën. Kjo s’ka kuptim. Zoteria më bëri foto dhe më denoncoi,” – tha studenti për JOQ Albania.
Ky rast ngre një pyetje të fortë për autoritetet: si është e mundur që një qytetar të gjobitet në një parkim publik, vetëm pse dikush tjetër pretendon se “e ka të vetin”?
Ky fenomen, tashmë i përhapur në shumë lagje të Tiranës, po i detyron qytetarët – veçanërisht studentët me të ardhura të ulëta – të parkojnë në zona me pagesë, ndërkohë që hapësirat publike zihen dhe “rezervohen” në mënyrë të paligjshme.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë Bashkiake dhe Bashkisë së Tiranës për të ndaluar këtë praktikë të padrejtë, që jo vetëm krijon tension mes banorëve, por rëndon edhe ekonomikisht qytetarët e ndershëm që kërkojnë thjesht një vend të lirë parkimi.