Vetëm pak orë pas ngjarjes tragjike ku një gjyqtar u vra në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, institucionet e drejtësisë shpallin tendera luksozë për ndërtime e pajisje, ndërsa siguria në gjykata mbetet në nivel alarmant.
Më 6 tetor 2025, ditën kur u qëllua për vdekje gjyqtari pas shpalljes së vendimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka shpallur një tender publik me vlerë 12.9 milionë lekë (rreth 130 mijë euro) për shtesë kati në godinën e saj.
Ironikisht, ndërtimi do të bëhet pikërisht mbi sportelin e hyrjes ku ndodhen detektorët e metaleve dhe ku autori i vrasjes kaloi i armatosur për në seancën gjyqësore. Sipas dokumenteve zyrtare, objekti i tenderit është “rikonstruksion dhe mbingritje me konstruksion metalik për nevojat e gjykatës”.
![]()
Kjo ndodh në një sistem gjyqësor që, pas hartës së re gjyqësore, është përqendruar i gjithi në Tiranë, ku qindra gjyqtarë, avokatë dhe qytetarë zhvillojnë procese në kushte minimale, shpesh në zyra të kthyer në salla gjyqi.
Në vend të masave për sigurinë, vëmendja duket e zhvendosur te ndërtimet dhe teknologjia. Vetëm disa ditë më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka hapur një tjetër tender gjigant me fond 1.1 milionë euro, për pajisje elektronike si servera, kamera, monitorë e televizione.
Kjo vjen pas një tjetër tenderi të KLGJ-së me vlerë 10 milionë euro, për siguri kibernetike, që ngriti dyshime për paracaktim fituesi dhe mungesë transparence.
![]()
Ndërkohë, pyetja që po përplas institucionet është: kush duhet të ruante gjykatat dhe gjyqtarët? Ministria e Brendshme deklaron se ligji nuk parashikon ruajtje me policë, ndërsa në terren sigurinë e mbante kompania shtetërore Illyrian Guard, e cila megjithëse është nën varësinë e Ministrisë, nuk arriti të parandalojë tragjedinë.
KLGJ, nga ana tjetër, pretendon se ka kërkuar me shkresa ndihmën e policisë për ruajtjen e gjykatave, ndërkohë që vetë vazhdon të shpallë tendera miliona euro për pajisje, ndërsa godinat gjyqësore mbeten të pambrojtura.
Ngjarja e 9 tetorit, ku një gjyqtar humbi jetën në mes të Tiranës dhe në mes të drejtësisë, ka tronditur opinionin publik. Por edhe më tronditës është fakti që, ndërsa gjakun ende s’e ka larë koha, në faqet e APP-së vijojnë të publikohen tendera për “shtesa kati” dhe “pajisje elektronike” si të mos kishte ndodhur asgjë.