Një zhvillim i ri ka ardhur lidhur me rastin që JOQ Albania publikoi më 11 shtator 2025, ku një i ri nga Çekia, Roman Kunčar, kërkonte nëpërmjet faqes sonë babain e tij biologjik, duke pretenduar se ai ishte një shqiptar me emrin Enver Bllata.
Sot, Enver Bllata i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania duke dërguar dokumentet zyrtare të analizës gjenetike të kryera nga instituti “Galantos Genetics GmbH” në Gjermani, ku rezulton qartë se ai nuk është babai biologjik i 30-vjeçarit çek.
Në raportin shkencor të lëshuar nga laboratori gjerman thuhet:
“Vlerësimi biostatistik i analizës STR ka treguar se Enver Bllata nuk është babai biologjik i Roman Kunçar.”
Në mesazhin e tij drejtuar redaksisë, Bllata shprehet:
“Edhe pse isha i sigurt se ishte e pavërtetë, me insistimin e zyrës së avokatëve në Gjermani dhe institutit të gjenetikës, siguruam provat gjenetike. Rezultati i analizës është 100% negativ. Lus stafin e JOQ Albania që, për hir të së vërtetës dhe për shkak të dëmtimit të emrit tim, të publikojë të vërtetën.”
Ky dokument mbyll përfundimisht çdo dyshim mbi këtë rast, duke konfirmuar se nuk ekziston lidhje biologjike mes Enver Bllatës dhe Roman Kunçarit.
Sqarim: Redaksia e JOQ Albania konfirmon se disponon dokumentin zyrtar të analizës gjenetike të lëshuar nga instituti “Galantos Genetics GmbH” në Gjermani, i cili përjashton atësinë. Megjithatë, për arsye të mbrojtjes së të dhënave personale dhe respektimit të privatësisë së përfshirë në analizën gjenetike, dokumenti nuk mund të publikohet. JOQ Albania e ka verifikuar vërtetësinë e tij dhe është në posedim të kopjes origjinale me vulë dhe nënshkrim të laboratorit gjerman.