Një qytetar ka denoncuar në redaksinë tonë një tjetër rast vjedhjeje skuteri elektrik në zemër të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur pranë Piramidës, në mes të ditës, dhe është fiksuar nga kamerat e sigurisë.
Në pamjet e siguruara shihet një i ri që afrohet pranë një skuteri të lidhur me kabëll sigurie dhe, duke përdorur një shufër hekuri, e çan atë me lehtësi. Brenda pak sekondash ai ngjitet mbi skuter dhe largohet sikur të ishte i zoti i mjetit.
Sipas denoncuesit, kjo është hera e tretë që i vidhet një skuter elektrik. Ai thotë se e kishte lënë mjetin vetëm për pak minuta, por grabitësi ka vepruar pa asnjë frikë, madje nën objektivat e kamerave.
Vjedhjet e skuterave dhe biçikletave elektrike janë kthyer tashmë në një problem serioz në kryeqytet, ndërsa autorët veprojnë hapur edhe në zonat më të frekuentuara të Tiranës. Banorët kërkojnë që policia të marrë masa konkrete për të ndaluar këtë valë grabitjesh që po dëmton gjithnjë e më shumë qytetarët.
Mesazhi i qytetarit:
"Përshëndetje JOQ , a mund të më ndihmoni me një sinjalizim. Më kanë vjedhur skuterin e 3 elektrik. Këtë herë te Piramida. E kam me video me fytyrë autorin. Ka lënë gjurmët e gishtave te hekuri që ka përdorur për të thyer zinxhirin."