Policia greke po heton dy pista kryesore lidhur me krimin e rëndë të ndodhur fundjavën e kaluar në një kamping në Finikounda të Korinthit, ku mbetën të vrarë pronari grek i kampingut dhe punëtori i tij shqiptar, i cili ishte edhe kujdestari i pronës.
Të dhënat paraprake tregojnë se motivet e vrasjes lidhen me çështje personale dhe konflikte për pronësinë. Viktimat u ekzekutuan me gjakftohtësi nga një autor që besohet të jetë një i mitur dhe që, sipas hetuesve, njihte mirë të paktën njërin prej tyre, pronarin grek.
Sipas mediave greke, kujdestari shqiptar kishte trashëguar një pjesë të pasurisë së pronarit, i cili kishte lënë testament për të ndarë pronat mes tij dhe një të afërmi. Dyshimet kryesore të policisë lidhen me konflikte të mundshme për trashëgiminë, ku nipi i pronarit, që ndodhej në vendngjarje gjatë atentatit, shihet si një hallkë kyçe për zbardhjen e ngjarjes.
Policia ka përjashtuar grabitjen si motiv, duke u përqendruar tek një akt hakmarrjeje ose konflikt i brendshëm. Viktimat nuk ishin sulmuar për t’u grabitur, autori nuk mori asnjë send, por veproi me vendosmëri dhe u largua menjëherë nga vendi i krimit.
Hetuesit kanë konstatuar se autori ka hyrë në kamping pa e mbuluar fytyrën dhe është larguar në të njëjtën mënyrë, duke sugjeruar se ai ishte i bindur se nuk do identifikohej ndoshta ngaqë e dinte se zona nuk kishte kamera sigurie.
Autori ka përdorur një armë që dyshohet të jetë revolver, pasi në vendngjarje nuk u gjet asnjë gëzhojë. Ai vrau pronarin brenda zyrës, ndërsa kujdestarin shqiptar e qëlloi pas shpine teksa përpiqej të largohej.
Nipi i pronarit, i cili ndodhej aty në momentin e ngjarjes, tha në dëshminë e tij se autori kishte qëlluar edhe drejt tij, por nuk kishte arritur ta godiste. Ai nuk e identifikoi dot autorin, duke lënë ende të hapur çështjen e përgjegjësisë.
Hetimet vijojnë dhe policia po analizon kontaktet e viktimës për të përcaktuar nëse dikush mund të kishte interes për vdekjen e tij. Autori mbetet ende në arrati.