Në një kohë kur ngjarja tronditëse në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka rikthyer vëmendjen tek siguria e institucioneve të drejtësisë, një oficer në Akademinë e Sigurisë ka ngritur një denoncim të fortë, duke e cilësuar situatën si dështim institucional të qëllimshëm nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.
Sipas tij, ngjarja ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja është pasojë direkte e mungesës së theksuar të efektivëve në terren, që vjen si rezultat i neglizhencës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ai thotë se çdo vit hapen aplikime për 350–400 kursantë, por shumica nuk arrijnë të përfundojnë trajnimin për shkak të kushteve skandaloze në Akademinë e Sigurisë, çka sjell mungesë të vazhdueshme të efektivëve të rinj në terren.
Sipas tij, përgjegjësia bie mbi Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe konkretisht mbi drejtuesin Ilir Proda, i cili, sipas denoncimit, “ka dështuar në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe nuk ka marrë asnjë masë për përmirësimin e situatës”.
Ndërkohë që Policia e Shtetit deklaron mungesë efektivësh, nga brenda sistemit vijnë zëra që tregojnë qartë se problemi nuk është mungesa e aplikimeve, por keqmenaxhimi dhe mungesa e vullnetit për ta zgjidhur krizën në rrënjë.
Më herët JOQ ALBANIA ka publikuar edhe denoncime të tjera lidhur me Akademinë e Sigurisë ku fitues të trajnimeve shpallen miq e të afërm me lekë të drejtuesve, ndërkohë ata që kanë dëshirën e madhe për të kontribuar në rradhët e policisë mbeten jashtë sistemit për shkak të mungesës së meritokracisë.
Denoncimi i oficerit në Akademinë e Sigurisë:
Prsh JOQ Albania Unë jam një Oficer pranë Akademisë së Sigurisë dhe prej vitesh ushtroj detyrën time në këtë institucion. Po ju drejtohem për të ndarë një shqetësim serioz që, sipas mendimit tim profesional, lidhet drejtpërdrejt me ngjarjen tragjike të ndodhur, ku humbi jetën efektivi Astrit Kalaja. Kjo ngjarje është pasojë e një problemi të thellë institucional dhe konkretisht e neglizhencës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Mungesa e theksuar e punonjësve të policisë në terren është rezultat i drejtpërdrejtë i mënyrës se si kjo drejtori administron procesin e rekrutimit dhe përgatitjes së kursantëve.
Çdo vit hapen aplikime për 350 apo 400 kursantë, por sapo ata vijnë në Akademinë e Sigurisë, përballen me kushte tejet të vështira dhe të papërshtatshme për zhvillimin e trajnimit. Shumica largohen para përfundimit të ciklit për shkak të kushteve skandaloze, dhe si pasojë, nga 400 aplikantë, vetëm rreth 250 arrijnë të certifikohen. Për fat të keq, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmirësuar këtë situatë. Nuk janë bërë kërkesa për shtimin e godinave, për përmirësimin e infrastrukturës apo për përballimin real të fluksit të kursantëve. Kjo neglizhencë ndodh sepse askush në nivelet e larta drejtuese nuk dëshiron të "pranojë" problemin, nga frika se mund t’u ulet autoriteti apo përgjegjësia.
Është e pakuptueshme që të flitet sot për “mungesë organike” në polici, kur problemi është i njohur prej vitesh dhe zgjidhja ka qenë në duart e vetë drejtuesve të saj. Përgjegjësia për këtë gjendje i takon drejtpërdrejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe konkretisht z. Ilir Proda, i cili ka dështuar në menaxhimin e kësaj situate. Faleminderit që i jepni zë realitetit në terren.
Konkretisht: Po ju rikujtoi edhe 52 kursantet të cilët u lan në pritje të gjatë për fajin e Drejtoris së Përgjithshme vetëm se nuk kishte akomodim.