OBSH ngre alarmin: 15 milionë adoleshentë përdorin cigare elektronike

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.10.2025, 13:43

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar një raport alarmues mbi përhapjen globale të përdorimit të cigareve elektronike, duke theksuar rritjen shqetësuese të konsumit mes të rinjve dhe adoleshentëve.

Sipas të dhënave të raportit, më shumë se 100 milionë njerëz në mbarë botën përdorin cigare elektronike, përfshirë të paktën 86 milionë të rritur, kryesisht nga vendet me të ardhura të larta, dhe rreth 14.7 milionë adoleshentë të moshës 13 deri në 15 vjeç.

Raporti i OBSH-së, që për herë të parë ndjek në mënyrë të strukturuar përdorimin e cigareve elektronike dhe pajisjeve të tjera me nikotinë, tregon se prevalenca globale e përdorimit të cigareve elektronike tek adoleshentët ka arritur në 7.2%, duke tejkaluar madje edhe përdorimin tradicional të duhanit, i cili qëndron në 5.1%.

Në disa vende, përdorimi i cigareve elektronike nga të rinjtë rezulton deri në nëntë herë më i lartë se tek të rriturit, duke e shndërruar këtë kategori në objektivin kryesor të industrisë së produkteve me nikotinë.

Adoleshentët po bëhen gjithnjë e më shumë pre e një industrie që i shënjestron në mënyrë agresive, veçanërisht përmes platformave digjitale që janë ende pak të rregulluara,” thuhet në raport.

Etienne Krug, drejtor i Departamentit të Promovimit dhe Parandalimit të OBSH-së, deklaroi se cigaret elektronike po krijojnë një brez të ri të varur nga nikotina, ndërsa reklamohen si mjete për uljen e dëmit.

Industria po promovon këto pajisje si alternativa më të sigurta, por realiteti është ndryshe. Ne po shohim një kthim prapa në përpjekjet shumëvjeçare për të reduktuar përdorimin e duhanit,” u shpreh Krug.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëroi se ndërkohë që shumë persona po ndalojnë së përdoruri duhanin tradicional, industria po kundërpërgjigjet me produkte të reja nikotine, duke shënjestruar në mënyrë të drejtpërdrejtë të rinjtë.

Ai u bëri thirrje qeverive që të ndërmarrin masa më të ashpra dhe të shpejta për të rregulluar dhe kufizuar përdorimin e cigareve elektronike, duke mbrojtur shëndetin e brezave të rinj dhe duke ruajtur arritjet në luftën kundër varësisë nga nikotina.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit