Familjet që prej më shumë se 15 vitesh ndodheshin në konflikt pronësie me Gjon Shkambin janë tronditur nga lajmi i vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili vetëm pak orë më parë kishte dhënë vendimin përfundimtar në favor të tyre. Gjyqtari u ekzekutua nga nipi i Shkambit, Elvis Shkambi, pas seancës në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Banorët, të prekur thellë nga ngjarja, shprehen me lot në sy se gjyqtari “vdiq për drejtësinë”.
“Vendimi ishte për ne, për të gjitha familjet. Ka vdekur për drejtësinë që kishte dhe për të drejtën tonë. Nuk ka vdek për veten, por që të mos na nxirrnin jashtë,” – tha një prej banorëve, mes lotësh.
Shuke Pepniku, një nga familjaret e përfshira në konflikt, kujtoi kalvarin 15-vjeçar të proceseve gjyqësore:
“Shtëpinë e kemi blerë në vitin 1996. Edhe pse Gjon Shkambi e ka shitur vetë, kemi qenë 15 vite në gjyqe. Jemi të rregullt me dokumente, drita e ujë. Më vjen shumë keq për gjyqtarin, për familjen e tij dhe komshinjtë që u plagosën. Mund të ishte edhe burri im aty brenda.”
Ajo kërkon “burgim të përjetshëm për Gjon dhe nipin e tij”, duke theksuar se “vrasja është akt i përbashkët” dhe se “shteti duhet të tregojë drejtësi deri në fund”.
Një tjetër banor akuzon institucionet për kaosin në këtë çështje:
“Bashkia dhe Hipoteka e kanë bërë rrëmujën. Pa vendim të Këshillit Bashkiak kanë regjistruar pronën si private. Kjo është pronë shtetërore. Ky i ka humbur të gjitha gjyqet, por ka bërë manovra me letra.”
Banorët tregojnë se për vite me radhë janë ndjerë të kërcënuar nga familja Shkambi dhe të braktisur nga shteti.
“Që nga 2012 kemi bërë gjyqe pa fund. Ka ardhur i armatosur, policia s’ka lëvizur as gishtin. Shteti e ka fajin. Ai s’ka dokumente, të gjitha i ka të falsifikuara.”
Në fund, të gjithë shprehen me dhimbje se do të donin të merrnin pjesë në varrimin e gjyqtarit Astrit Kalaja, “si një shenjë respekti për një njeri që dha jetën për drejtësinë”.