Skaneri sinjalizoi armën e autorit, roja i gjykatës: Nuk i bëra kontroll fizik

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.10.2025, 10:21

Policia e Tiranës ka publikuar detaje të reja tronditëse lidhur me vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, duke zbuluar një neglizhencë të rëndë në protokollin e sigurisë nga ana e rojes së godinës, Banush Koxhaj.

Gjatë verifikimeve dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë së gjykatës, është konstatuar se autori i krimit, Elvis Shkëmbi, ka kaluar përmes detektorit metalik në orën 13:42, së bashku me xhaxhain e tij, Gjon Shkëmbi. Në atë moment, skaneri ka sinjalizuar praninë e një objekti metalik, duke ndezur dritën e kuqe, por punonjësi i sigurisë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të kryer kontroll fizik apo verifikim në librin e protokollit.

Roja qëndroi i ulur në karrige dhe nuk kreu asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve, edhe pse pajisja sinjalizoi prezencën e metaleve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Sipas hetimeve, Elvis dhe Gjon Shkëmbi qëndruan për më shumë se një orë në hollin e pritjes së gjykatës dhe më pas u futën në sallën nr. 3, ku po zhvillohej seanca për çështjen e pronësisë. Në orën 15:35, menjëherë pas shpalljes së vendimit në favor të palës kundërshtare, Elvis Shkëmbi ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të gjyqtarit Kalaja, i cili ndërroi jetë gjatë transportit për në spital.

Në dëshminë e dhënë për hetuesit, roja i gjykatës, Banush Koxhaj, ka pranuar se nuk ka kryer kontroll fizik ndaj dy shtetasve, duke deklaruar:

Nuk i bëra kontroll fizik.”

Aktualisht, vijojnë hetimet për të vlerësuar përgjegjësitë e personave të tjerë të përfshirë në çështjen e sigurisë së institucionit, ndërkohë që pritet të merren masa administrative dhe ligjore ndaj rojes që neglizhoi detyrën.

Ngjarja ka nxitur reagime të forta në opinionin publik dhe në sistemin e drejtësisë, duke ngritur shqetësime serioze mbi mungesën e sigurisë në institucionet gjyqësore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit