Personi në foto është Ragip Kurtaj, 65 vjeç, i cili mbeti i plagosur në ngjarjen e rëndë që tronditi dje Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Ai ndodhej në sallën e gjyqit së bashku me djalin e tij, Ervis Kurtaj, në cilësinë e palës kundërshtare ndaj autorit të krimit, Elvis Shkëmbi. Ky i fundit qëlloi me armë pas dhënies së vendimit nga gjyqtari Astrit Kalaja, duke lënë të vdekur gjyqtarin dhe plagosur babë e bir.
Ragip Kurtaj mori plagë në kraharor dhe këmbë, ndërsa djali i tij u plagos lehtë në dorë. Të dy u transportuan menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Familja Kurtaj ishte në proces gjyqësor për pronësinë e një godine në lagjen "Skënderbeg" të Shkodrës, të banuar nga 31 familje që prej vitit 1992, për të cilën xhaxhai i autorit, Gjon Shkëmbi, pretendonte se ishte pronë e tij.
Sipas hetimeve paraprake, Ragip dhe Ervis Kurtaj ishin thjesht qytetarë që po kërkonin të mbronin të drejtën e banimit në një pronë që sipas tyre u është dhënë nga shteti. Ata u bënë viktima të një akti ekstrem dhune që nisi pas vendimit gjyqësor, i cili i jepte të drejtë banorëve dhe kundërshtonte pretendimet e Gjon Shkëmbit. Ngjarja ka hapur debat të gjerë për sigurinë në gjykata dhe për mënyrën si armët mund të futen lehtësisht në institucionet e drejtësisë.