Vrasja e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, pasditen e sotme në Tiranë, ka shkaktuar një reagim të thellë jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe brenda strukturave të Policisë së Shtetit. Ngjarja ku 30-vjeçari Elvis Shkëmbi qëlloi për vdekje gjyqtarin pas humbjes së një gjyqi për pronën, ka nxjerrë në pah dështimin flagrant të masave të sigurisë në institucionet kryesore të shtetit.
Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një mesazh i fortë dhe alarmant nga një punonjës policie, i cili tregon me detaje situatën kritike të sigurisë në gjykata dhe prokurori, duke e lidhur drejtpërdrejt këtë mungesë me krimin e rëndë të sotëm.
Mesazhi i policit ngre alarmin për mungesën kronike të efektivëve dhe për shpërndarjen e gabuar të burimeve, ku shpesh institucionet kyçe ruhen nga efektivë të moshuar dhe pa mbështetjen e duhur logjistike. Ai bën një thirrje të drejtpërdrejtë për ndërhyrje urgjente, duke kërkuar vendosjen e forcave elitë si Shqiponjat me turne dhe kontrolle të rrepta të vazhdueshme.
Mesazhi i plotë i punonjësit të Policisë dërguar në JOQ Albania:
"Përshëndetje JOQ Albania! Jam një punonjës i Policisë së Shtetit dhe po ju drejtohem me një shqetësim të madh që prek jo vetëm strukturat tona, por sigurinë e institucioneve kyçe të shtetit shqiptar.
Prej kohësh, situata në terren është alarmante: institucionet si gjykatat, prokuroritë dhe vetë Ministria e Brendshme po ruhen nga një ose dy efektivë policie, shpesh të moshuar dhe afër moshës së pensionit. Në shumë raste, ata nuk kanë as mundësinë fizike dhe as mbështetjen logjistike për të përballuar situata që mund të kthehen në kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën dhe rendin.
Mungesa e theksuar e punonjësve të policisë dhe e kontrolleve të rrepta çoi në një nga ngjarjet më tronditëse të sistemit të drejtësisë në vitet e fundit: vrasjen makabre të gjyqtarit Astrit Kalaja, pikërisht në zemër të Gjykatës së Apelit. Nëse një krim i tillë ndodh në një nga institucionet më të mbrojtura, atëherë imagjinoni çfarë rreziku real ekziston në gjykatat dhe prokuroritë e rretheve, ku forcat e sigurisë janë minimale dhe shpesh në kufijtë e lodhjes fizike.
Është e domosdoshme që këto institucione të kenë pranë tyre forca të mirëtrajnuara si Shqiponjat, të cilat të vendosen me turne dhe të realizojnë kontrolle të vazhdueshme për çdo person që hyn dhe del. Nuk mund të mbështetemi më te një polici i vetëm, i cili qëndron para një institucioni të rëndësishëm pa mjetet e nevojshme për të reaguar në kohë ndaj çdo situate të papritur.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë është në dijeni të mungesës kronike të efektivëve, por zgjidhja nuk mund të jetë mbajtja në detyrë e personave që realisht janë për pension. Kjo nuk është zgjidhje, është thjesht një shtyrje e krizës, e cila ka sjellë pasoja fatale.
Ky nuk është thjesht një apel për më shumë siguri, por një thirrje për ndërgjegjësim kombëtar. Sepse në fund, është jeta e një punonjësi policie, jeta e një prokurori, gjyqtari apo edhe e një qytetari të zakonshëm që vihet çdo ditë në rrezik, për shkak të mungesës së vëmendjes institucionale ndaj sigurisë bazë.
Shpresoj që përmes zërit tuaj të fuqishëm mediatik, ky mesazh të marrë vëmendjen që meriton.
Faleminderit nëse e postoni!"
Detajet e ngjarjes: Si arriti autori i armatosur të hynte në Gjykatën e Apelit
Vrasja ndodhi menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja lexoi vendimin për një çështje pronësie, vendim që ishte në favor të palës kundërshtare të autorit, Elvis Shkëmbi. 30-vjeçari, pasi u ndie i humbur në gjyq, qëlloi me armë zjarri gjyqtarin sapo ky doli në korridor, duke e lënë të vdekur në vend. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Elvis Shkëmbi ka pranuar autorësinë e krimit, duke deklaruar se motivi ishte humbja e gjyqit për pronën, ndërsa autoritetet i kanë ngritur akuzat për vrasje me paramendim, vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Hetimi tani fokusohet te mënyra se si autori arriti të fuste armën në Gjykatën e Apelit, pavarësisht kontrolleve. Kjo pikë e fundit thekson edhe më shumë shqetësimin e punonjësit të policisë lidhur me sigurinë.