Të tjera detaje tronditëse janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të hënë në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri nga një prej palëve në procesin gjyqësor.
Mësohet se autori, Elvis Shkëmbi, 30 vjeç, ishte i pranishëm në sallë në cilësinë e palës paditëse në një çështje pronësie, së bashku me babanë e tij.
Seanca gjyqësore kishte nisur në orën 14:00 dhe kishte vijuar normalisht, derisa gjyqtari Kalaja lexoi vendimin përfundimtar, i cili rezultoi në favor të palës kundërshtare të familjes Shkëmbi. Në atë moment, 30-vjeçari ka reaguar në mënyrë ekstreme.
Sapo gjyqtari Kalaja ka përfunduar seancën dhe ka dalë në korridorin e gjykatës, Elvis Shkëmbi e ka qëlluar me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Të plagosur nga të shtënat mbetën edhe dy persona të tjerë, babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, që ishin pala kundërshtare në çështjen gjyqësore.
Pas krimit, autori i ka dorëzuar armën rojës së sigurisë në gjykatë dhe më pas është larguar qetësisht në oborrin e gjykatës, ku është ndaluar pa rezistencë nga patrulla e policisë që ndodhej jashtë godinës.
Policia dhe prokuroria kanë nisur një hetim të thelluar për rrethanat e ngjarjes, përfshirë mënyrën se si Shkëmbi arriti të fuste armën në ambientet e gjykatës, pavarësisht kontrolleve të sigurisë dhe pranisë së detektorëve të metalit.
Elvis Shkëmbi ka pranuar autorësinë e krimit gjatë marrjes në pyetje dhe ka deklaruar se e kreu vrasjen për shkak se “po humbiste gjyqin për pronën”, të cilën ai pretendonte se i përkiste familjes së tij.