Dy vite hetime mbi vdekjen tragjike të 3-vjeçarit Braian Spahiu, pas një trajtimi në një klinikë dentare private, kanë përfunduar me masa sigurie ndaj mjekut Roland Xhaxho dhe vajzës së tij, stomatologes Ina Xhaxho.
Edhe pse prokuroria kërkoi masën 'arrest me burg' gjykata zgjodhi “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve për mjekun e njohur Roland Xhaxho, në lidhje me vdekjen tragjike të 3-vjeçarit, i cili humbi jetën pas një ndërhyrjeje dentare në klinikën e tij private. Xhaxho akuzohet për “vrasje nga pakujdesia” dhe “mashtrim”, akuza që rëndojnë gjithashtu mbi vajzën e tij, Ina Xhaxho, dhe stomatologen Marta Gina të dyja në të njëjtën masë sigurie.
Vendimi vjen disa ditë pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore të kryer nga specialistë italianë, të cilët kanë dorëzuar një raport prej 200 faqesh në Prokurorinë e Tiranës. Autoritetet hetimore kanë refuzuar të bëjnë publike detaje, duke theksuar se publikimi i parakohshëm mund të dëmtojë procesin hetimor. Megjithatë, akti do t’u vihet në dispozicion palëve sapo të mbyllen hetimet paraprake.
Familjarët e vogëlushit Spahiu kanë kërkuar transparencë dhe qasje në rezultatet e ekspertizës italiane, pasi më herët kishin shprehur pakënaqësi për mënyrën si po zhvilloheshin hetimet në Shqipëri.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 tetor 2023. 3-vjeçari Brian Spahiu humbi jetën në Spitalin Shtetëror pak orë pas ndërhyrjes dentare në klinikën e mjekut Xhaxho. Sipas ekspertizës së parë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, shkak i vdekjes ishte anestezia, e cila kishte shkaktuar “vuajtje të thellë qelizore me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme”.
Por Prokuroria e Tiranës kërkoi një ekspertizë të dytë, duke argumentuar se raporti fillestar ishte i paplotë dhe pa konkluzione të plota shkencore. Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi përgjegjësitë ligjore dhe mjekësore për humbjen e jetës së fëmijës.